YOUTH FOR ECO-HEALTHY FUTURE
Rreth projektit 4>
Jeta dhe shëndeti ynë janë të lidhura ngushtë me ambientin, florën, faunën dhe gjithë tërësia e ekosistemeve ku ne jetojmë përbën në thelb themelin e jetës humane në planetin tonë. Pandemia e COVID-19 na dëshmoi se ndryshimet klimatike nuk janë diçka teorike, por tashmë dhe një situatë e prekshme dhe potencial madhor dëmtues i shëndetit tonë dhe jo vetëm. Ndërhyrja e dorës së njeriut në habitatet natyrore ka shkaktuar një cikël vicioz i cili nxit maksimalisht zoonozat, pra transmetimin e infeksioneve prej kafshëve kryesisht të egra drejt njeriut, siç është edhe rasti i virusit COVID-19.
Megjithatë, dëmet shëndetësore që vijnë si pasojë e ndryshimeve të shpejta të ambientit, habitateve dhe ekosistemeve na përball me faktin se rreziku që na kanoset si shoqëri nuk është vetëm si pasojë e sëmundjeve të komunikueshme apo të transmetueshme. Sot hasim një sërë sëmundjesh të tjera të cilat grumbullohen në kategorinë e sëmundjeve jo të transmetueshme (sëmundjet jo infektive), të cilat janë ngushtësisht të lidhura me stilin tonë të jetesës dhe me faktorin ambient. Sipas OBSH, në vitin 2019 ndër 10 shkaqet kryesore të mortalitetit global, tri shkaqet kryesore mbeten Sëmundjet Ishemike Kardiake, Aksidentet Vaskulo-Cerebrale dhe në vend të tretë mbeten Sëmundjet Pulmonare Obstruktive Kronike, ku të tria këto sëmundje dhe ndërlikimet e tyre janë të lidhura ngushtë me faktorët e sipërpërmendur.
Po sipas OBSH, parashikohet që në rang global, në periudhën 2030 - 2050 të rritet numri i fataliteteve nga ndryshimet klimatike deri në 250.000 fatalitete më shumë se në 2019.
Impakti i ndryshimeve klimatike mund të jetë direkt ose indirekt. Kështu ҫdo alterim i mëtejshëm që influencon mbi shëndetin e popullatës drejtpërdrejt (siҫ p.sh rritja progresive e temperaturave ndikon në rritjen e incidencës së goditjes nga të nxehtit në njerëzit që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare), do të konsiderohen si impakt direkt. Ndërkohë impakti indirekt do të ndodhte në rastin kur ndryshimet klimatike kanë faktorë ndërmjetësues, si në rastin e ndikimeve të ndryshimeve klimatike në ekosisteme duke influencuar në cilësinë dhe sasinë e ushqimit.
Në kontekst kombëtar ekziston një nevojë jetike që të rinjtë të kenë informacionin e duhur mbi stilin e jetesës si një faktor madhor që lidhet me parandalimin e sëmundjeve të patransmetueshme, si dhe rolin dhe rëndësinë e faktorëve ambientalë në shfaqjen, ecurinë apo në përkeqësimin e tyre.
Ky projekt ka për qëllim të trajtojë me kujdes të veçantë ndërlidhjen që ekziston midis çështjeve mjedisore dhe stilit të jetesës si dy kontribuues madhorë në shëndetin e popullatës, duke mos anashkaluar gjithashtu konceptin e cilësisë së jetës dhe rëndësinë që ka të kuptuarit e saj.

